Kush jemi ne?

Klubi i Çiklizmit “MTB Theranda” është klub sportiv i regjistruar si organizatë joqeveritare në Departamentin e OJQ-ve të Ministrisë së Administratës Publike. Certikata e Regjistrimit Nr. 5116854-2.

Gjithashtu, MTB Theranda është i regjistruar si klub i rregullt në Komunën e Suharekës me numër protokoli 10.Nr.374/2 

Historiku

Klubi i Çiklizmit “MTB Theranda” është themeluar në vitin 2013 në Suharekë. Fillimisht klubi ynë përbëhej nga 5 anëtarë, ku me kalimin e kohës është shtuar maksimalisht interesimi për antarësim në klub. Në vitin 2018, “MTB Theranda” numëron plot 17 anëtar, ku dy prej tyre vinë nga komunat tjera, Komuna e Skenderaj dhe Komuna e Shtimes si dhe një anëtar nderi i cili vjen nga Austria.

Aktivitetet kryesore të klubit tonë janë: pedalimi-eksplorimi i bukurive natyrore të vendit tonë, pjesmarrja në gara si dhe organizimi i garave MountainBike/Downhill në vendin tonë. Gjatë këtyre viteve kemi qenë pjesmarrës thuajse në të gjitha garat MountainBike/Downhill të cilat janë zhvilluar në vendin tonë si dhe ato jashtë vendit, ku asnjëherë nuk jemi kthyer pa trofe!

Në viti 2016, MTB Theranda organizon garën e parë “Downhill Theranda 2016” në Bllacë - Suharekë (20 Nëntor 2016). Kjo garë ishte e kategorisë Downhill dhe ishte garë e rregult në kuadër të Federatës së Çiklizmit të Kosovës. Interesimi për pjesëmarrje ishte jashtëzakonisht i madh, ku morën pjesë 62 garues nga e gjithë Kosova si dhe një nga Austria. Mbarëvajtja dhe organizimi i garës shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme.  

Viti 2017

Klubi i Çiklizmit “MTB Theranda” vitin 2017 e cilëson si njërin ndër vitet më të suksesshme që prej themelimit të klubit. Synim i klubit për këtë vit ishte pjesëmarrja në të gjitha garat downhill/mountain bike të cilat zhvillohen në vend si dhe ato në Shqipëri.

Në të gjitha garat ku morëm pjesë, përfshirë edhe “Downhill Kampionatin Kombëtar 2017” çiklistët e MTB Therandës treguan nivel të lartë të përgaditjes, seriozitet dhe paraqitje të shkëlqyer në gara. Kjo rezultoi që klubi pas garave asnjëherë të mos kthehet pa trofe në shtëpi.

Pas përfundimit të të gjitha garave të “Downhill Kampionatit Kombëtar 2017” kampion i përgjithshëm i downhill-it shpallet garuesi nga klubi ynë Ideal Sylaj dhe dy përcjellësit e dytë poashtu vijnë nga klubi ynë.